Britani, shqiptarja nderohet “Gruaja e Vitit”


Shqiptarja nga Kosova, Remzije Sherifi u shpall “Gruaja Emigrante e Vitit” në Britaninë e Madhe, një çmim që jepet nga organizata dhe shoqatat britanike të të drejtave të grave dhe emigrantëve, për të nderuar punën dhe përpjekjet e saj për integrimin e grave dhe vajzave të reja emigrante në Britaninë e Madhe.
Remzija, 57 vjeç, u nderua për punën e saj vullnetare me shoqatën “Maryhill Integration” me qendër në Gllasgou të Skocisë. Cmimi iu dorëzua në një ceremoni në Londër me pjesëmarrjen e aktivisteve të shoqatave më me emër të të drejtave të grave dhe vajzave emigrante në Britaninë e Madhe, për përkushtimin e saj në integrimin e kësaj shtrese në shoqërinë britanike.
57-vjeçarja, një ish-folëse radiofonike në Kosovë, la vendlindjen në vitin 1999 për shkak të luftës duke u vendosur në një kamp në Shkup. Brenda pak muajsh ajo me familjen e saj emigroi drejt Skocisë.
Me këtë cmim në Britaninë e Madhe nderohen gratë që gjejnë forcën të rindërtojnë jetën e tyre në Britaninë e Madhe pas luftërave dhe persekutimit në vendlindje. Për këtë vit, shqiptarja Remzie do të ndaje cmimin “Gruaja Emigrante Vitit” me Kamerunasen Constance Nzeneu, një juriste që braktisi vendlindjen e saj në vitin 2005 për t’i shpëtuar një martesë të detyruar.