Përgjimi në burg, monstra i tha gruas: E vrava Jualianin.


ardian
Çfarë ke bërë me djalin e vogël? Më thuaj çfarë i ke bërë Julianit?”. Valbona Paci i ka kërkuar informacione bashkëjetuesit të saj, Ardian Prrenjasi, në përballjen e parë që ka pasur me të brenda dhomës së izolimit në Policinë e Tiranës. Sipas Policisë, 45-vjeçari fillimisht është përpjekur ta qetësojë dhe më pas i ka treguar se çfarë i kishte bërë 11-vjeçarit.
“Ulu dhe qetësohu. Nuk është mirë të nevrikosesh. Julianin e kam vrarë kur ishe ti në Dibër”. Kjo ka qenë përgjigja e monstrës së arrestuar, duke konfirmuar në këtë mënyrë edhe deklarimet që ai kishte dhënë më parë para grupit hetimor. Biseda e çiftit është survejuar qëllimisht nga grupi i hetimit, për të vërtetuar nëse kishte thënë të vërtetën ose jo gjatë marrjes në pyetje.
Dyshimet për vërtetësinë e pohimeve të Ardian Prrenjasit lidheshin me faktin që ai për dy orë rresht nuk kishte pranuar se kishte “gisht” në zhdukjen e djalit të zv.drejtorit të Antiterrorit të SHISH, Skënder Çela. Për të paktën dy orë ai ka mohuar se e njihte, apo të kishte lidhje me zhdukjen e Julian Çelës. Por më vonë Prrenjasi ka filluar të flasë dhe ka shpjeguar me detaje të gjithë historinë, që nga rrëmbimi e deri të vrasja dhe më pas zhdukja e trupit. Brenda natës ai është marrë në pyetje disa herë, në mënyrë që oficerët e grupit hetimor dhe prokurori të bindeshin se ai thoshte të vërtetën. Por, në të gjitha dëshmitë, edhe ato pa procesverbal, ai ka shpjeguar ngjarjen me përpikëri, me të njëjtat detaje. Kjo ka treguar se i arrestuari Ardian Prrenjasi thoshte të vërtetën.
DËSHMIA E SË SHOQES
Duke qenë se Valbona Paci, gruaja (bashkëjetuesja) e Ardian Prrenjasit nuk ndodhej në Tiranë në kohën e arrestimit të tij, ajo është marrë në pyetje të nesërmen e ngjarjes. Ajo ka dëshmuar rreth lidhjes së saj me Prrenjasin, dyshimet e saj, por edhe për faktin që në të dyja ngjarjet ajo nuk ka qenë e pranishme në shtëpi. Burimet thanë se Paci ka probleme me të lexuarin dhe të shkruarin, pasi nuk ka arsimin e duhur, por edhe probleme psikologjike. Madje, këtë fakt ajo e ka konfirmuar vetë, duke thënë se kishte tentuar të martohej edhe dy herë të tjera më parë, një herë në Maqedoni dhe një herë në Shqipëri, por ishte ndarë në të dyja rastet për shkak të problemeve që kishte.