Turp dhe skandal. Vritet 17-vjeçari per nje shikim te shtrember.


Policia ka ndaluar sot dy autorët e masakrimit të 17-vjecarit dhe ka shpallur një tjetër person në kërkim.
Sipas policisë, autorët janë Skerdilajd Hyka 18-vjeç dhe Besart Seçim 18-vjeç, ndërsa në kërkim është shpallur personi me iniciale O.B.
17-vjeçari u vra mbrëmë me thikë dhe mjete të forta pas një përleshjeje mes shtatë personave te “Kodra e Priftit” në Tiranë. Viktima e ngjarjes është Gjergj Prenga, djali i një efektivi të Gardës së Republikës.
Ngjarja 
Rreth orës 20:30 minuta të mbrëmjes së djeshme, në zonën e "Kodrës së Priftit" në kryeqytet një grup të rinjsh janë rrahur më njëri-tjetrin dhe për pasojë ka humbur jetën njëri prej tyre. Sipas policisë, 17-vjeçari Gjergji Prenga nuk ka mundur që t'u rezistojë dot plagëve të marra nga goditjet dhe ka gjetur vdekjen gjatë transportimit për në Spitalin Ushtarak. Sipas policisë, në sherr janë përfshirë 6 të rinj, të cilët janë zënë me grushte dhe mjete të forta në mes të rrugës. Burime nga forcat blu sqarojnë se sherri ka nisur në momentin që të rinjtë janë parë "shtrembër" me njëri-tjetrin. Policia pohon se konflikti ka nisur për një shikim të hedhur shtrembër mes viktimës dhe autorëve. Sherri ka pasur dy grupe, njëri ku përfshihej viktima dhe shoku i tij, ndërsa grupi tjetër, me katër të rinj të moshave 16-18 vjeç. "Çfarë ke që sheh, pse sheh", kanë qenë fjalët që kanë nxehur gjakrat mes gjashtë të rinjve, të cilët fillimisht janë zënë me grushte dhe më pas kanë shkuar në shtëpitë e tyre, kanë marrë levat e hekurit dhe mjete të tjera të forta dhe kanë rinisur sherrin, si pasojë e të cilit ka humbur jetën 17-vjeçari Gjergji Prenga, i cili është goditur disa herë me levë, ndërkohë që ka mbetur i plagosur edhe shoku i tij, Julian Frroku, raporton Balkanweb.
Operacioni 
"Katër të rinj u janë afruar me leva dhe shkopinj dy të rinjve të tjerë dhe kanë nisur t'i rrahin". Kështu kanë pohuar dëshmitarët në vendin e ngjarjes. Sipas policisë, katër të rinjtë i janë afruar viktimës dhe shokut të tij për t'i pyetur se pse i kishin parë disa herë shtrembër atë ditë në një qendër interneti dhe pasi janë zënë me grushte, nuk janë mjaftuar me aq, por kanë nisur që të zihen edhe me leva. Por, goditjet pas koke kanë qenë fatale për 17-vjeçarin Prenga, i cili ka humbur jetën rrugës për në Spitalin Ushtarak. I plagosur ka mbetur edhe shoku i tij. Policia vijon hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes.