Zbardhet dosja, Prenjasi u shpall i pafajshëm për rrëmbimin e dy fëmijëve


ardian
Çështja në 2004-n

Babai i të rrëmbyerit: Prokurorja tha se djali kishte shkuar me dëshirë

Denoncimi - Ngjarja u regjistrua në postën e Policisë së Përrenjasit, rreth orës 22:00 të 25 dhjetorit 2004. Aty ka shkuar shtetasi F.M., i cili ka denoncuar zhdukjen e nipit të tij D.M., 8 vjeç
Gjetja - Mëngjesin e 26 dhjetorit 2004, në fshatin Çervenakë, në një prej rrugëve rurale u gjetën dy fëmijët, pikërisht D.M. 8 vjeç, dhe E.H. 11 vjeç, së bashku me një makinë të braktisur
Arratisja - Mjeti i braktisur, “Ford” kamionçinë, me targa PG 0582 B, rezultoi se i përkiste Ardian Prenjasit, i cili kishte liruar dy fëmijët e rrëmbyer dhe ishte arratisur për t’i shpëtuar arrestimit.
“Prenjasi u arratis kur vuri re policinë, ndërsa prokuroria i la të lirë kamionçinën, ku u gjetën dy fëmijët”
Bardha Nergjoni
Më 25 dhjetor 2004, pikërisht ditën e Krishtlindjeve të para nëntë viteve, në Policinë e Librazhdit u denoncua zhdukja e dy fëmijëve të mitur, të cilët u gjetën një ditë më vonë, të braktisur afër një rruge rurale, ku u sekuestrua edhe një kamionçinë, që i përkiste Ardian Prenjasit, pikërisht personit të arrestuar në Tiranë për përdhunimin e një të mituri dhe të dyshuar për vrasjen e Julian Çelës, djalit të oficerit të lartë të SHISH-it. Por, pavarësisht se Prenjasi u shpall në kërkim, vetëm pak kohë më vonë, prokurorja e çështjes e hoqi atë nga kërkimi dhe e cilësoi ngjarjen e dy fëmijëve si largim me dëshirë nga banesa. Kjo alarmoi babanë e njërit prej tyre, pasi tjetri ishte djali i motrës së Ardian Prenjasit, dhe kërkoi që të rihetohet çështja. Megjithatë, çështja u mbyll sërish në gjykatë nga një gjyqtar, që tashmë rezulton i vdekur dhe deri më sot, ajo çështje ka mbetur misterioze. Ndërsa sot, kur emri i Prenjasit është rikthyer në vëmendje, babai i djalit të rrëmbyer, i cili sot është 17 vjeç, kërkon të zbardhet edhe ajo çështje.
Dosja e vitit 2004
Sipas të dhënave, ngjarja është regjistruar në postën e Policisë së Përrenjasit, rreth orës 22.00 të datës 25 dhjetor 2004. Aty ka shkuar shtetasi F.M., i cili ka denoncuar për zhdukjen e nipit të tij, D.M., 8 vjeç. Sipas denoncimit, nipi i tij, që sot është 17 vjeç, kishte humbur kontaktet që në orën 19:00 të asaj nate. Menjëherë për ngjarjen janë njoftuar Komisariati i Policisë së Librazhdit dhe struktura të tjera. Pas një pune operative gjatë gjithë natës, mëngjesin e 26 dhjetorit 2004, në orën 06:00, në fshatin Çervenakë, në një prej rrugëve rurale gjendeshin dy fëmijë, pikërisht D.M., 8 vjeç dhe E.H., 11 vjeç, së bashku me një makinë të braktisur, tip “Ford” kamionçinë, me targa PG 0582 B. Menjëherë është verifikuar se autori dhe pronari i automjetit ishte Ardian Prenjasi, i cili kishte liruar dy fëmijët e rrëmbyer dhe ishte larguar në drejtim të paditur. Burime zyrtare nga Komisariati i Policisë së Librazhdit thanë në atë kohë se ndaj fëmijëve nuk ishte ushtruar dhunë sek suale. Dyshimet e para u hodhën në pistën e rrëmbimit për arsye trafikimi të dy fëmijëve, por shqetësimi i menjëhershëm i familjarëve ka vënë në vështirësi autorin, i cili i trembur nga policia, ka zgjedhur një rrugë dytësore, ku edhe ka braktisur pengjet e tij.
Babai i të rrëmbyerit
Nga ana tjetër, sot, babai i djalit të mitur të rrëmbyer në vitin 2004, tregon se kjo çështje është kaluar në heshtje në atë kohë. “Kam kërkuar më kot që të vazhdojnë hetimet dhe autori të dënohej, por gjykata në të dyja rastet heshti. Jam dëshmitar sesi pas disa muajsh, pas sekuestrimit të kamionçinës, ai u la e lirë nga ana e prokurorisë. Sapo e mora vesh, reagova dhe shkova në Librazhd për të kundërshtuar këtë vendim, por ata u mjaftuan vetëm me rifillimin e hetimeve. Mbaj mend që ishte një prokurore, e cila në përfundim, pasi kaluan disa seanca, më tha se çështja do të mbyllej. Kjo pasi, sipas saj, fëmija im ishte larguar me dëshirë dhe nuk ishte detyruar për asgjë. Nuk e mbaj mend emrin e prokurores. Pasi vazhduan disa seanca, Ardian Prenjasi u deklarua i pafajshëm. Kur vendosa të ankohem, pasi m’u duk mjaft i padrejtë ky vendim, prokurorja më tha se fëmija kishte shkuar me dëshirë dhe nuk ishte rrëmbyer. Kjo më acaroi mjaft, por s’munda të bëj gjë në atë kohë. Ishte e pamundur”, shprehet babai i D.M., i cili në kohën e rrëmbimit ishte vetëm 8 vjeç.
I pyetur nëse do të kërkonte rihapjen e kësaj çështjeje, babai thotë se ai do të dëshironte që kjo çështje të rihapej, por nuk do që të bëhet pjesë e saj. “Kanë kaluar 10 vjet nga ajo ngjarje. Gjërat janë harruar. Unë për vete nuk e kam harruar atë ngjarje dhe do të doja të rihapej dhe ai të dënohej edhe për rrëmbimin e fëmijës tim. Nuk dua të identifikohem e të bëhem protagonist, pasi fëmija im sot është adoleshent, por ai monstër duhet të paguajë edhe për këtë rast. Më duket e tmerrshme sesi në atë kohë u la në heshtje ky rast rrëmbimi dhe gjykata e nxori të pafajshëm. Mbaj mend që prokurorja ka qenë grua, ndërsa gjyqtari mesa di, ka vdekur. Do të doja që kjo çështje të rihapej, por nuk duhet të përfshihet familja ime dhe fëmija im. S’dua që ai të pësojë të gjitha pasojat në këtë kohë, që është një adoleshent. Prenjasi duhet të dënohet maksimalisht për të gjitha gjërat që ka bërë. Fatkeqësisht nuk kemi drejtësi dhe unë e kam provuar në kurriz kur kam kërkuar që të rihapet çështja, ndërsa prokuroria e ka quajtur të pafajshëm, duke u shprehur se fëmija ka ikur me dëshirë pas tij. Në këto kushte ai ka vazhduar në kurriz të fëmijëve të tjerë. Fëmija im shpëtoi, pasi u alarmuan të afërmit, por mund të ketë fëmijë të tjerë që janë trafikuar, abuzuar apo vrarë nga ky person, që prokuroria e quajti të pafajshëm”, deklaron babai i D.M.