Vërtetohet takimi Thaçi-Nikoliq në Vatikan


Gazeta Express ka siguruar një foto të momentit kur Kryeministri Hashim Thaçi dhe Presidenti serb Tomislav Nikolic ia shtrënguan dorën njëri-tjetrit, të martën në margjina të ceremonisë së inaugurimit të Papës së ri, Françeskut.
Takimi thuhet se ka zgjatur shumë pak dhe ai më shumë ka qenë simbolik - diçka që kishte ndodhur verën e kaluar në Dubrovnik, kur Thaçi kishte takuar ish-Presidentin serb, Boris Tadic. Sipas gjitha gjasave, takimi është aranzhuar nga diplomacia amerikane.
Siç dihet, Thaçi dhe Nikolic të hënën mbrëma ndarazi takuan Zëvendëspresidentin e SHBA’së, Joe Biden, i cili i inkurajoi dy liderët që të arrijnë marrëveshje për çështjet e mbetura në tavolinën e dialogut që po ndërmjetësohet nga Baronesha Catherine Ashton.
Por një zyrtar i afërt me Kryeministrin ka thënë se ka qenë pikërisht Nikolic ai që i është afruar Thaçit, duke mohuar se takimi ishte i aranzhuar.
“Kryeministri Thaçi ka qenë duke biseduar me Kancelarin austriak, kur pranë tij ka shkuar Presidenti serb dhe ia ka zgjatur dorën”, ka thënë zyrtari i afërt me Kryeministrin e Kosovës, në kushte anonimiteti.
Edhe në foto duket Kancelari austriak, Werner Faymann (i treti nga e ana e djathtë)